Nuk e ka telashe të reagojë tek ata që ia sulmojnë hendbollin e Kosovës.
Edhe kur Kombëtarja e Kosovës pëson humbje me rezultat të rëndë, e gjen një formulë apo një “Nen” për ta mbrojtur si një “avokat”, që jo rrallë trason hendbollin me komentet e tij, herë të qëlluara e herë ia huq fortë e keq!
Është i dashur për një pjesë të komunitetit të hendbollit e për një pjesë i urryer e disa as që dojnë të dëgjojnë për emrin e tij.

Ai është Fatmir Gubetini, aktualisht vëzhgues i hendbollit!
Gubetini dikur ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një periudhë ka punuar edhe si sigurim sa ishte president Fatmir Sejdiu.
Dikush thotë se ai nuk ka lidhje me sportin, e vërteta qëndron ndryshe.
Ai është njohës i sportit, sepse si fëmijë ka qenë themelues (tifoz i zjarrtë) i ‘Forcave’, një kohë në krye të tyre dhe mjeshtër për t’i rënë daulles (topanit).

Fatmir Gubetini me shami si pjesëtar i UÇK-së
Me kalimin e kohës ai bëhet edhe president i KH Vushtrrisë, një kontribues i madh, i guximshëm. Me një karrierë interesante, tipike sportive, nga tifozi i zjarrtë me daulle e deri të vëzhguesi, që fortë i shkon fjala.
Është i fjalës, burrë i vendosur dhe jo të gjithë e kanë guximin e tij të të menduarit. Ai e do Kosovën shumë, në humbje e në fitore, i gatshëm të vdes për të.
Nuk është krah i FHK-së, por e mbron kur është nevoja dhe momenti i arsyeshëm, por hendbollin në asnjë mënyrë nuk do që t’ia ngacmojnë sepse vashat dhe djemtë e sotit, i quan hero të sakrificës në fushë!