Kampioni i Kosovës, Besa Famgas nga Peja, është i përgatitur maksimalisht për sfidën e kthimit të Kupës së Evropës, me bindje se do të eliminojnë ekipin nga Republika Srpska, Borcin e Banjallukës, e cila garon në Kampionatin e Bosnjës dhe të Hercegovinës.
Sfidën e parë pejanët e humbën me rezultat 28:25 në Banjallukë, por besojnë e shpresojnë në fitore sa më bindëse nesër mbrëma (18.00) në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë, kësisoj të kualifikohen në rrethin e tretë.
Kryetrajneri i Besës, Arben Muqolli, tha se ekipi është gati po ashtu edhe hendbollisti Kastriot Jupa në formën më të mirë.
“Jemi komplet për dallim nga ndeshja e parë, ku patëm pak problem me Kastriot Jupën për shkak të lëndimit, nuk ishte edhe aq i përgatitur. Besoj se Jupa është i përgatitur qind për qindtë për ndeshjen e dytë, është lojtari më i mirë në Kosovë, po të ishte ai i përgatitur qind për qind në Banjallukë, do ta fitonim ndeshjen.
Në bazë të atyre brohoritjeve dhe pritjeve të njohura për opinion që na bënë Banjalluka, motivi është shumë i madh të lojtarët tanë dhe do të japin maksimumin të dielën.
Na duhet fitorja me katër gola diferencë, nëse e kemi ditën dhe luajmë ashtu siç e kemi paraparë, fitorja do të jetë edhe më e thellë”, tha Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Sulmi është pika më e fortë e Besës.
“Pikat më të forta tona janë sulmi dhe momentalisht me mbrojtje paksa çalojmë nga viti i kaluar, Ramosaj e Alonso nuk i kemi këtë vit. Jemi duke u munduar ta përforcojmë mbrojtje dhe nëse gjithçka shkon sipas plani, do të fitojmë”, tha Muçolli.
“Ne do të tregojmë organizim e kulturë sportive, do t’ju tregojmë atyre se Peja dhe Kosova ka kulturë të lartë sportve”, tha Muqolli.