Kombëtarja e Kosovës në sportin e hendbollit këtë të enjte është rikthyer në Kosovë, pas përballjes në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror kundër Turqisë.
Në ndeshjen e parë të Grupit 1, “Dardanët” pësuan humbje në udhëtim kundër Turqisë me rezultat 25:23.
Sot ekipit kosovar i hendbollit ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në këtë kampionat, ku e presin në shtëpi Kombëtaren e Belgjikës.
Përballja e Kosovës kundër Belgjikës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Në Grupin 1 të Kampionatit Botëror të hendbollit, së bashku me Kombëtaren e Kosovës dhe atë të Belgjikës, gjenden edhe dy kombëtaret e tjera si ajo e Turqisë dhe e Greqisë.
Momentalisht, këtë grup e kryeson Greqia me gjithsej dy pikë, aq sa ka edhe Turqia në vendin e dytë, kurse Belgjika dhe Kosova gjenden në pozitat tre dhe katër me asnjë pikë të arkëtuar.