Kombëtarja e Kosovës pëson goditje të rëndë në palestrën “Sporthal Alverberg” në Hasselt të Belgjikës.
Belgjika ka shënuar fitore me rezultat 33:29 (18:12) ndaj Kosovës, në ndeshjen e xhiros së fundit (6-të) të parakualifikueseve për Kampionatin Botëror.
Kosova eliminohet, ndërsa Belgjika shpreson në humbjen e Turqisë nga Greqia dhe të kualifikohen në rrethin tjetër.
Belgët e filluan mirë ballafaqimin, duke avancuar me 2:0, 3:1, 10:5 në minutën e 18-të, duke e përmbyllur me 6 gola dallim (18:12) në favor të tyre.
Në pjesën e dytë, në minutën e 37-të, Belgjika thellon epërsinë në dhjetë gola (23:13).
Djelmoshat tanë nuk u dorëzuan, në një seri 0:5 zvogëluan rezultatin në 23:18 në minutën e 42-të.
Në minutën e 46-të, Kosova ngushton rezultatin në 26:22.
Lojë me vetëmohim e djelmoshave tanë, këndellen në minutat e fundit, duke e ngushtuar rezultatin në 26:24 në minutën e 48-të.
Në minutën e 51-të, dramë në Hasselt rezultati ngushtohet në një gol (26:25).
Minutat e fundit, një finale e vërtetë mes dy Kombëtareve. Emocione të pafundme qoftë të njëra Kombëtare apo pala tjetër..
Dardanët nuk e mbajtën ritmin, Belgjika shkëputet në epërsi me 4 gola (29:25).
Në minutën e 58-të, shuhen të gjitha shpresat për Kosovën, 31:26 dhe belgët fitojnë takimin me rezultat 33:29.
Po të luante Kosova sikur në 20 minutat e fundit, gjërat do të ishin ndryshe! Bujar Qerimi, selektor i Kombëtares së Kosovës, me djelmoshat e tij kthehet duarthatë nga Hasselti
Hendbollisti Serge Spooren ka qenë enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen tonë, duke shënuar 8 gola, pastaj Pierre Brixhe e Yves Van Cosen, secili shënuan nga 5 gola.
Në radhët e Kombëtares së Kosovës, u dalluan vëllezërit Drenit e Drilon Tahirukaj, duke shënuar 8 përkatësisht 6 gola.
Greqia është kampion i grupit 1 me 10 pikë (një ndeshje me pak), pasojnë Belgjika 5, Turqia 4 (një ndeshje me pak) dhe Kosova në fund me 3 sosh.