Federata e Hendbollit e Kosovës, si gjithmonë edhe kësaj radhe ka nderuar disa personalitete të veçanta me çmimin për vepër jetësore.
Ahmet Hysenaj – Petrova është nderuar me mirënjohje për vepër jetësore dhe kontributin e dhënë në hendbollin e Kosovës për dekada të tëra.
Petrova ka dhënë shumë për hendbollin, që nga koha kur ka qenë pjesë e rangut më të lartë federativ të hendbollit, me ekipin ish Borci (tani KH Kastrioti) nga Ferizaj.
Ahmet Petrova pranon çmimin për vepër jetësore nga Eugen Saraçini, kryetar i FHK-së
Petrova ka qenë anëtar i kryesisë së ish Borcit pastaj ka ardhur kryetar në vitin 1988 kur garonin në ligën e parë ish jugosllave.
Po ashtu ka qenë edhe kryetar i parë KH Kastriotit nga Ferizaj në kohën e pavarësimit të sportit, duke fituar Kupën dhe titullin e parë të Kampionatit të parë të pavarur të Kosovës.
Ai ka qenë kryetar i KH Kastriotit edhe pas luftës për shumë vite, një periudhë të gjatë edhe në ekipin e femrave të Kastriotit, duke fituar tre tituj e katër kupa të Kosovës. Petrova - gjysmë shekulli me hendboll dhe sport.
Në ceremoninë e hendbollit për vepër jetësore u nderuan edhe prof. Xhemail Kasumi, Haki Baftiu, Ahmet Baliqi e Zijavere Salihu – Loshi.