Kryetari i klubit të hendbollit Ferizaj (femrat), Xhavit Morina, është i shokuar për vdekjen e mikut të tij dhe ish kryetar i tij në KH Kastrioti për shumë vite.
Morina tha se Petrova ka qenë krah i djathtë i tij në kohërat e ndryshme, sidomos në periudhat më të vështira.
Morinës i kujtohen shumë suksese edhe si lojtar edhe si trajner në kohën kur Petrova ish kryetar i klubit.
“Sot humbëm një mik të madh, një sportdashës të madh, një kontribues të madh të hendbollit e sportit.
Ahmet Hysenaj - Petrova, një mik i madh i imi, pothuajse 3 dekada ishim së bashku, edhe në ditët më të vështira.
Me Petrovën patën shumë projekte të mëdha por vdekja e papritur e tij i ndërpreu në gjysmë. Por këto projekte që i planifikuam se bashku do t’i realizojë dhe amanetin e tij do çojë në vend. Petrova ishte krah i djathtë i imi, i klubit të hendbollit Ferizaj dhe një motivues i madh për të gjithë ne.
Ferizaj dhe Kosova humbën një personalitet dhe kontribues të madh, një kontribues edhe në ditët më të vështira, në kohën e okupimit.
Pa Ahmet Petrovën do të jetë edhe më i varfër hendbolli sidomos ai ferizajas, për të cilën dha kontribut gati pesë dekada. Lamtumirë miku im. Prehu në paqe President Petrova”, thotë Morina.