Klubi i hendbollit Vushtrria emëron trajnerin e ri Andon Boshkovski. Vushtrria synon rikthimin në elitën e hendbollit të Kosovës (meshkujt).
Lajmi konfirmohet në faqen e klubit.
“Lajm i madh për klubin dhe qytetin tonë, përforcimi i parë vjen nga Maqedonia e Veriut dhe është trajneri i mirënjohur Andon Boshkovski.
Andon Boshkovski e filloi karrierën e tij si trajner nga klubi ku e përfundoi karrierën e tij si lojtar, skuadra e Rabotniçkit. Në vitin 2004 u transferua në klubin e atëhershëm ambicioz, RK Metalurg Shkupi duke marrë rolin e ndihmës trajnerit. Me Metalurgun fitoi Ligën Kombëtare të Maqedonisë dhe mori pjesë në Ligën e Kampionëve, para se të kalonte në një tjetër projekt me ekipin e Bogdancit.
Klubi i hendbollit Bogdanci zgjati rreth një vit, dhe Boshkovski u kthye në Metalurg ku qëndroi deri në vitin 2011. Në vitin 2011, Boshkovski kaloi në Vardar dhe ndihmoi trajnerin Veselin Vujovic në fitimin e SEHA Ligës, titullin kombëtar dhe titullin e Kupës.
Për një periudhë të shkurtër në vitin 2014, Boshkovski kishte një funksion të ri si kryetrajner i Vardarit. Në vitin 2015 u emërua kryetrajner i klubit më të vjetër të hendbollit maqedonas Rabotniçki, i cili përfundoi në vendin e gjashtë në kampionatin kombëtar”, njofton KH Vushtrria.