Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka komentuar sot në Shkup rrahjen dhe vdekjen e hendbollistit kroat Denis Tot.
“Në bazë të pamjeve, ne rikonstruktuam të gjithë ngjarjen. Sipas deklaratave të personave që kanë qenë aty, bëhet fjalë për marrëdhënie personale të vajzës dhe viktimës”, - tha Spasovski dhe shtoi se “për njeriun që e ka goditur i pari hendbollistin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar”.
Ministri maqedonas shtoi se në kuadër të hetimeve janë ftuar për intervistim shefi i diskotekës dhe një punonjës.
“I morëm rrobat që kishte veshur, telefonin dhe të gjitha gjërat që ishin me të në atë kohë”, - tha Spasovski dhe hodhi poshtë pretendimet se diçka po mbulohej ose se një pjesë e filmimeve nga kamerat e vëzhgimit ishte zhdukur, transmeton media kroate “Veçernjj List”. Ende nuk dihet pse nga spitali fillimisht kanë thënë se në trup nuk ka shenja të dukshme lëndimesh, e më pas ka rezultuar se hendbollisti kroat ka mbetur i vrarë.
Ditën e djeshme u shfaq një video që tregonte Denisin duke u rrahur pa mëshirë teksa ishte shtrirë i pafuqishëm.