Hendbollistja boshnjake, Esma Muratoviq, me ekipin e Istogut, shpresojnë se nesër do të festojnë titullin në Ferizaj, i dyti në histori për klubin, që u themelua në vitin 2004.
Vashat e Istogut me kryetrajnerin Faruk Shala, janë përgatitur maksimalisht për finalen e dytë të play-off-it e cila luhet nesër (18.00) në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.
Finalja e parë përfundoi me rezultat të ngushtë, 32:31 për Istogun.
“Ne e respektojmë kundërshtarin dhe përgatitemi për çdo ndeshje veç e veç. Mezi presim ndeshjen, dhe jemi maksimalisht të motivuar për ndeshjen e nesërme”, tha Muratoviq për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Skuadra me dy të fituara apo me një fitore e një barazim shpallet kampione, Istogu avancon aktualisht me 1:0 në seri të fitoreve.