Klub i hendbollit Istogu është finalisti i parë në konkurrencën e femrave dhe e pret fituesen e përballjes Vushtrria – Ferizaj.
Istogu ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë 35:33 ndaj Prishtinës, në ndeshjen që u zhvillua në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.
Të dy ekipet treguan lojë mesatare por Prishtina nuk arriti synimin e saj.
Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, tani pas titullin synon edhe Kupën e Kosovës.
Milatoviq u shpall lojtarja më e mirë e Istogut. Ndërsa te Prishtina lojtarja më e mirë u shpall portierja Teninke Kaba. Ajo është dalluar me pritje të shumta. Me disa pritje, sidomos në momentet e fundit, ka kontribuar edhe portierja e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj.
Fillimi i ndeshjes i takoi Istogut që krijoi epërsi prej 7:2. Në minutën e 20-të rezultati u barazua në 13:13. Në fund të pjesës së parë Prishtina në dy raste kishte një gol epërsi, ndërsa pas 30 minutave shifrat ishin 18:18.
Në pjesën e dytë u luajt për secilin gol. Prishtina fillimisht krijoi epërsi prej dy golave, të cilën e kishte disa herë. Në minutën e 57-të, ishte Istogu që krijoi epërsi prej dy golave, 32:30. Prishtina u afrua në 32:31 e më pas edhe në 33:32. Por nuk ia doli të barazoi më dhe në fund rezultati ishte 35:33 për Istogun.
Esma Muratoviq ishte më efikasja te Istogu me 11 gola. 7 i realizoi Natalija Milatoviq.
Ivana Bojoviq realizoi 9 gola për Prishtinën. 6 i kishte Simone Keita.