Kastrioti është në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në hendboll.
Ferizajasit shënuan fitore të thellë me rezultat 35:24 ndaj Deçanit, në gjysmëfinalen që u zhvilluan në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj,.
Deçani nuk u tregua i denjë për Kastriotin dhe lëshoi rastin historik që të jetë në finale.
Te Kastrioti shkëlqeu portieri Dardan Dugolli me shumë pritje. Me lojë të mirë u dallua edhe pivoti Jeton Bislimi, që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes te skuadra ferizajase. Te Deçani më i miri u shpall Drilon Tahirukaj.
Ferizajasit që nga fillimi nisën shkëputjen në rezultat dhe pas 30 minutave rezultati ishte 17:11.
Epërsia vazhdoi të rritej në pjesën e dytë. Në fund rezultati ishte 35:24 në të mirë të Kastriotit. Ferizajasit shfaqën hendboll të bukur dhe shënuan gola të veçantë.
Lëvdata meriton edhe Deçani që nuk u dorëzua deri në fund dhe shfaqi shpirt luftarak.
Samid Mekiq me 9 gola ishte më efikasi te Kastrioti. 6 gola i shënoi Aldi Rudari, derisa nga 5 i shënuan Guilherme Da Silva dhe Hamdi Salihu.
Jeton Bislimi shënoi 4 gola, por kontribuoi shumë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Freski në lojën e ferizajasve solli Arben Dugolli që ishte kreator i lojës në sulm.
Te Deçani, Drilon Tahirukaj shënoi 8 gola. 6 i kishte Arbios Mushkolaj, derisa 4 i shtoi Përparim Shala. Albion Loshaj shënoi 3 herë, ndërsa 2 gola i realizoi Arion Tanushi.