Shuhet ëndrra e tifozëve që të shohin një ndeshje të Kupës së Evropës në hendboll në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.
Kastrioti i Ferizajt, dy ndeshje do t’i luajë në konak të ekipit nga Bosnja dhe Hercegovina, Graçanica.
Drejtuesit e klubit Graçanica, konfirmojnë për gazetën kombëtare “Bota sot”, se kanë arritur marrëveshjen që ndeshjet të luhet në palestrën e tyre.
Graçanica
Drejtuesit e Graçanicës e kanë kontaktuar z. Ekrem Beqa, drejtorin e Kastriotit.
“Ne kemi kontaktuar dhe tashmë kemi rënë dakord për disa detaje me drejtorin e klubit (z. Ekrem Beqa)”, - përgjigjen nga klubi Graçanica për gazetën kombëtare “Bota sot”.
“Të dyja ndeshjet i luajmë në Graçanicë më 10 dhe 11 shtator nga ora 18:00. Ne kemi firmosur formularin dhe e dërguam në EHF”, bëhet e ditur nga klubi Graçanica.
Ekrem Beqa tregon arsyen që vendosën ndeshjet t’i luajnë në Graçanicë.
“Palestra është duke u rinovuar, një pjesë e xhamave janë duke u ndërruar dhe aktualisht palestra nuk i plotëson kushtet sipas asaj që kërkon EHF. Për shkak të situatës së palestrës, ne jemi të detyruar nga zori t’i luajmë dy ndeshjet në Bosnjë”, thotë Beqa.