Pas përforcimit me hendbollisten nga Shkupi, Mirlinda Dinarica, burimet tona konfirmojnë se kampionja e Kosovës, Istogu, ia ka vazhduar kontratën hendbollistes braziliane Dayane Pires Da Rocha.
Kontrata i është vazhduar edhe për një vit.
Kjo hendbolliste ka luajtur në Lojërat Olimpike, duke e përfaqësuar denjësisht kombëtaren e Brazilit.
Po ashtu me Brazilin luajti edhe në dy Kampionate Botërore, pastaj me Vardarin në Champions League si dhe në Superligën e Norvegjisë.
Është lojtare me përvojë dhe luan në pozitën e alos së majtë, e cila ka qenë alfa dhe omega te Istogu në edicionin e kaluar.
Nga ana tjetër, Istogu ka marrë edhe lajme të mira, për faktin se Albina Rugova dhe Pranvera Ferataj, rikthehen nga lëndimet.
Pastaj janë përforcuar edhe me Tina Hetemin, e cila pritet t’i jep edhe më shumë forcë kampiones.
Krahas të gjithave, angazhimi i lojtares nga Tunizia, Nihed Limem, ka qenë qershia mbi tortë. Istogu po punon në të gjitha drejtimet, duke treguar edhe një herë se është klubi bindshëm më i organizuar në vendin tonë.