Sllovenia ka zbarkuar në Prishtinë, e cila nesër në orën 19:30 do përballet me Kosovën, në kuadër të Grupit 7 të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2024.
"Selektori i kombëtares së Sllovenisë, Urosh Zorman, i zgjodhi mbrëmë hendbollistët për në Kosovë, ndërsa në ndeshjen e dytë do t’i mungojnë Bombaç dhe Matej Gaber, ndërsa Jozhe Baznik, Domen Makuc, Kristjan Horzhen, Matiq Groshelj dhe Aleks Kavçiç nuk luajtën kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, presin rastin e tyre.
Sido që të jetë, Sllovenia nuk duhet ta ketë problem të mund Kosovën, e cila përndryshe ka bërë një luftë të denjë në Mal të Zi dhe humbi me rezultat 20:29”, shkruan mediumi slloven ”slovenskenovice.si.
“Ne nuk i shikojmë konkurrentët tanë, qasja jonë duhet të jetë gjithmonë në nivelin më të lartë. Synimi ynë ishin dy fitore, kemi një, për të dytën shkojmë në Kosovë. Mbi të gjitha, përparimi në lojë është i rëndësishëm”, thotë hendbollisti Jaka Malus.
Sllovenia dhe Kosova nuk janë takuar asnjëherë, kjo e fundit nuk ka luajtur ende në një kompeticion të madh, por dalëngadalë po rritet dhe mund të jetë e rrezikshme nëse sllovenët e marrin si të sigurt fitoren.
“Kosova luajti shumë mirë në kualifikueset e fundit. Të jemi të kujdesshëm që të mos biem në kurth”, paralajmëron selektori Zorman.