Kombëtarja e Kosovës në hendboll, rikthehet sonte në aksion.
‘Dardanët’ në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve do të përballen me Slloveninë, në ndeshjen e dytë kualifikuese për Evropianin 2024.
Dueli mes Kosovës dhe Sllovenisë vjen drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kombëtarja jonë në duel me sllovenët vjen pas disfatës kundër Malit të Zi tri ditë më parë, takim ky i zhvilluar në Podgoricë. Ndërkohë Sllovenia sonte vjen pas fitores kundër Bosnjë-Hercegovinës.
Sllovenia ka lojtarë në nivel të lartë evropian dhe llogaritet favorite. Në fakt sllovenët janë favoritë të gjithë grupit.
Te Kombëtarja jonë respektojnë Slloveninë, por janë të përkushtuar për të dhënë maksimumin në kërkim të suksesit.
Pivoti Luigj Quni, i njohur për angazhimin e madh dhe dëshirën, thotë se më shumë se me fitoren e humbjen ka të bëj me luftën maksimale nga fillimi e deri në fund.
“Ka shumë gjëra për të cilat ia vlen të luftojmë në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Por për mua nuk ka të bëjë me fitoren apo humbjen. Bëhet fjalë për të treguar vullnetin tonë dhe shpirtin luftarak që kemi.
Fatkeqësisht nuk arritëm ta bëjmë këtë në Podgoricë. I kemi borxh vetes dhe të gjithë tifozëve tanë që të tregojmë sërish fytyrën tonë të vërtetë. Kam besim të plotë tek ekipi se do të tregojmë një lojë të mirë”, ka theksuar Luigj Quni.
Ndeshja Kosova-Sllovenia nis në orën 19:30.