Hendbollistja boshnjake nga Mali i ZI, Esma Muratoviq, ish anëtare e kampiones dhe fitueses së Kupës së Kosovës, Istogu, tani e një kohë po luan në Kampionatin e Italisë, për ekipin e Brixen Sudtirol.
Esma shprehet kritike për hendbollin e Kosovës në konkurrencën e femrave, ku Superliga është më e dobët se në edicionin e kaluar.
Me ekipin Brixen Sudtirol synojnë vendin e parë në Itali, aktualisht renditen në vend të katërt me 6 pikë (tre fitore e një humbje) por me një ndeshje me pak dhe katër pikë me pak se liderja Jomi Salerno.
“Duam të fitojmë kampionatin dhe kupën në Itali.
Çdo ndeshje është e fortë, gjë që është e mirë dhe interesante.
Çdo ekip mund të mundë këdo. Kështu që duhet të jeni të fokusuar 100 për qind në çdo lojë”, tha Esma për gazetën kombëtare "Bota sot“".
Si e sheh Superligën e Kosovës?
“Mendoj se këtë sezon liga në Kosovë është shumë më e dobët se sezonin e kaluar.
Vetëm KHF Istogu është ekip që paguan mirë dhe ka sjellë shumë përforcime këtë sezon por më vjen keq që nuk shkuan në raundin tjetër të EHF Cup”, përfundon Esma.