Kampioni në fuqi i Kosovës, Besa Famgas e Pejës, mobilizohet për sfidën e kthimit dhe është shumë afër rrethit të tretë të Kupës së Evropës në hendboll (meshkujt).
Trajneri Nikolla Prce është duke e përgatitur ekipin maksimalisht që mos të lejojë ndonjë befasi nga ana e skuadrës nga Helsinki i Finlandës, HIFK.
Besa ka përparësinë e terrenit dhe pret përkrahjen e tifozëve.
Besa është skuadra më e organizuar dhe bindshëm më e mirë në vendin tonë, që drejtohet nga babë e bir, Hamëz dhe Enis Idrizi.
“E diele ora 18:00 Pejë, Besa FamGas – HIFK.
Të dielën në palestrën ‘Karagaçi’, djelmoshat tanë zhvillojnë ndeshjen e dytë në garën Europian Cup.
Pas humbjes me rezultat 28:27 në ndeshjen e parë që u zhvillua në Helsinki skuadrës tonë i duhet fitorja me diferencë +2 gola që të jemi në raundin tjetër, e kjo gjë do të jetë më e lehtë me përkrahjen tuaj.
Andaj të dielën në orën 18:00 përkrahja e juaj është e nevojshme që në fund të festojmë së bashku”, njofton KH Besa Famgas.