Portierja Njomza Kelmendi së bashku me hendbollisten Leonora Demaj, janë protagoniste të ndeshjes së mbrëmshme, që Kombëtarja e Kosovës u kualifikua në raundin e dytë të Kampionatin Botëror.
Meritë të madhe ka edhe publiku në palestrën e Istogut, ishin të pranishëm rreth 1800 veta.
Vashat Dardane mbrëmë pësuan humbje me rezultat 29:28 por falë fitores në takimin e parë me 27:24 kualifikohen më tej.
Njomza Kelmendi tha se treguan angazhim maksimal ndaj ishujve Faroe.
“Kualifikimi ishte shumë i rëndësishëm për neve.
Loja natyrisht se ishte e paparashikueshme për shkak se ekipi kundërshtar ishte shumë i fortë. Neve na ndihmoi shumë loja e parë e fituar, e cila ishte fitore me plot meritë dhe na motivoi për ndeshjen e dytë”, thotë Kelmendi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Njomza tha se nuk kanë lejuar që të kaplohen nga euforia e fitores së parë duke luajtur me kujdesin më të madh ndaj rivales.
“Nuk kemi lejuar që euforia e fitores së ndeshjes së parë të ndikoj tek ne dhe të na ofroj vetkënaqësi, përkundrazi vetëm na motivoi që të përqendrohemi për ndeshjen e dytë.
Ndeshja e dytë normalisht që ishte më e vështirë, për shkak se kundërshtari e kishte studiuar pak më shumë lojën tonë, por fal angazhimit, lojës me zemër dhe natyrisht përkrahjes së publikut ia arritëm synimit tonë. Ky është vetëm fillimi ynë”, përfundon Kelmendi.