Fillimi i mirë i stinorit pranveror ka motivuar skuadrën e Kastriotit para ndeshjes për Superkupën e Kosovës në hendboll.
Kështu ka deklaruar kapiteni i skuadrës ferizajase, Jeton Bislimi.
Kastrioti fillimisht barazoi në udhëtim me Rahovecin, ndërsa në fundjavën e kaluar e mposhti Prishtinën.
Sidomos fitorja me Prishtinën ka frymëzuar ferizajasit para ndeshjes me Besa Famgasin.
Besa Famgas e Kastrioti takohen të enjten prej orës 15:30 në palestrën e qytetit në Istog për të përcaktuar fituesin e trofeut të parë të edicionit 2022/2023.
“Në këtë ndeshje presim të japim më të mirën e mundshme si ekip.
Stinorin e kemi filluar mbarë, ndërsa fitorja e fundit na ka shtyrë që të punojmë edhe më shumë si ekip.
Presim që ndeshja e Supekupës të jetë e mirë dhe që të dy skuadrat të angazhohen.
Jemi të vetëdijshëm për ekipin e Besës, por ne si ekip do të mundohemi të bëjmë më të mirën në këtë takim.
Në fund le të fitojë ekipi që e meriton”, ka thënë pivoti Jeton Bislimi.
Superkupa organizohet në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ndeshjet për Superkupë do të luhen çdo vit tani e tutje.