Besa Famgas e Pejës, kampion në fuqi, është gati për finalen e dytë të play - off-it të Superligës së Kosovës në hendboll.
Pejanët e fituan finalen e parë me rezultat 30:27 ndaj Trepçës dhe udhëheqin në seri të fitoreve me 1:0.
Ballafaqimi i finales së dytë do të luhet të enjten (më 25 maj, në orën 20.00) në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë.
Një finale që pritet me drithërima, po ashtu dhe palestra “Minatori” të jetë e mbushur me tifozë, që të shohin dy ekipe më të mira aktualisht që ka Kosova.
Besa Famgas synon titullin e dhjetë rresht apo të 18-tin pas pavarësimit të sportit të hendbollit të Kosovës nga ai ish jugosllav.
Egzon Gjuka, anëtar i Besës dhe hendbollisti më i miri në Kosovë, tha se do të jetë një ndeshje e vështirë.
“Jemi të vetëdijshëm për ndeshjen e vështirë që do na pret por jemi të përgatitur maksimalisht për të përfunduar dilemën e kampionit në Mitrovicë”, thotë Gjuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Gjuka tha se përparësi është vet emri i ekipit dhe premton angazhim deri në pikën e fundit, për të arritur titullin e kampionit, që do të jetë i dhjeti rresht për pejanët.
“Përparësia e parë e jona është vetë emri Besa e pastaj besoj që jemi një ekip e cila është shumë serioze dhe mirë e organizuar.
Po ashtu cilësia e ekipit tonë është e kombinuar me lojtar me eksperiencë dhe lojtar të ri dhe besoj që do shfaqim një ndeshje të mirë e cila do të jetë e mjaftueshme për të festuar titullin në Mitrovicë”, shpreh optimizmin Gjuka.