Trepça e Mitrovicës kërkon pas 22 viteve titullin e kampionit të Kosovës në hendboll.
Hera e fundit që e ka fituar titullin është në edicionin 2000-2001, ndërsa tani është në finale të play-off-it të Superligës së Kosovës.
Gjithçka është e gatshme për sfidën e madhe, mes dy ekipeve që kanë hendbollist cilësorë.
Në dy ndeshjet e fundit, në finalen e Kupës dhe të pkay-off-it, rivaliteti ka qenë i madh dhe deri në fund nuk është ditur fituesi.
Trepça është fituese e Kupës së Kosovës, tani synon edhe titullin e kampionit.
Finalen e parë e fituan pejanët me rezultat 30:27 dhe udhëheqin në seri të fitoreve me 1:0.
Trepça është e përgatitur maksimalisht, synon të barazohet në seri të fitoreve, pastaj në Pejë të kërkojnë titullin.
Të enjten në orën 20.00 do të zhvillohet finalja e dytë mes Trepçës dhe Besa Famgas, palestra “Minatori” në Mitrovicë pritet të mbushet përplot me shikues.
Hendbollisti i Trepçës, Lulzim Shabani, tha se janë të përgatitur maksimalisht për finalen e dytë.
“Mendoj që përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi akoma më të gatshëm për ndeshjen e dytë finale”, thotë Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Cila janë përparësitë e Trepçës?
“Trepça pikën kyqe dhe më të fortë e ka dhe do ta ketë gjithmonë tifozerinë ‘Torcida’ gjithashtu edhe gjithë qytetarët të cilët kanë qenë prezent në palestër gjatë gjithë sezonit dhe loja e shpejtë në sulm”, thotë Shabani.
Trepça deri me tash dy herë e ka fituar titullin, ndërsa Besa 18 herë pas pavarësimit të sportit të Kosovës nga ai ish jugosllav.
Skuadra me dy të fituara ose me një fitore e një barazim do të shpallet kampion i ri.