Verim Zherka ka marrë timonin e klubit të hendbollit Rahoveci.
Rahovecianët kanë ambicie të mëdha në edicionin e ri.
Ata synojnë me Zherkën të luftojnë për katër vendet e para.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Verim Zherka, i shpallur trajneri më i mirë në Kosovë për vitin 2022, tashmë është kryetrajner i KH Rahovecit.
Zherka, legjendë e hendbollit të Kosovës, vjen pas një karriere të suksesshme në hendbollin tonë ku ka udhëhequr klube si Kastrioti, Prishtina por ka qenë edhe përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës në hendboll.
Ky emërim, i një trajneri që ka fituar trofe në hendbollin kosovar, është sinjal për synimet e klubit për sezonin e ri, e lajmet tona në këtë drejtim veçse kanë filluar”, njofton KH Rahoveci.