Prishtina me kryetrajner të ri pretendon lojëra sa më cilësore në edicionin e ri të elitës së hendbollit të Kosovës (meshkujt).
Bardhekaltrit në hapje do të kenë karshi një kundërshtar të përforcuar me lojtarë të dëshmuar siç është Rahoveci.
Megjithatë Prishtina beson e shpreson se do të përgatitet deri në pikën e fundit për sfidën e parë dhe ndeshjet e radhës në kampionat.
Kryetrajner i ri Arben Parduzi është optimist se do të jenë gati në çdo pikëpamje për derbin e javës së parë.
“Qysh në xhiron e parë fati ka desht të jetë derbi mes KH Prishtinës dhe KH Rahovecit.
Normal që për dy skuadrat loja e parë domethënë shumë që të startoj me lojë të mirë e të ketë sukses dhe të vazhdon me formë të mirë në vazhdim të sezonit”, tha Parduzi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Prishtina si gjithmonë synon kreun e tabelës dhe trofetë.
Parduzi tha se skuadra e tij do të jetë e përgatitur në çdo aspekt dhe për trofe.
“Klubi i KH Prishtinës gjithmonë lufton për trofe.
Do të japim maksimumin në çdo ndeshje pa marrë parasysh ekipin kundërshtar, do të jemi serioz dhe të respektojmë të gjitha ekipet”, tha Parduzi.