Besa Famgas (meshkujt) ka treguar fuqinë e kampionit ndaj fituesit të Kupës së Kosovës, Trepçës së Mitrovicës.
Besa ka shënuar fitore me rezultat 36:28 ndaj Trepçës, në takimin që u zhvillua në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë.
Besa është fitues i Superkupës së Kosovës në hendboll.
Një finale e mirë dhe e dominuar nga skuadra pejane, e cila qysh në minutën e 47-të udhëhiqte me 7 gola epërsi (27:19).
Duhet veçuar edhe golin e Mursel Mehmetit, në minutën e 58-të duke shënuar nga porta në portë dhe ndeshja përfundoi me rezultat 36:28.
Pejanët me meritë fituan këtë finale, ndërsa skuadra e Taib Kabashit nuk ka arritur të rezistojë lojës së fortë të rivalit.
Trofeun e Superkupës e dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Medaljet për ekipin pejan i dorëzuan presidenti Saraçini dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.