Kosova ka bërë hapin e madh drejt rrethit tjetër të raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026 në hendboll.
Djelmoshat tanë treguan lojë shumë të mirë duke i shkaktuar humbje me rezultat 30:22 (13.11) Britanisë së Madhe, në ndeshjen që u zhvillua në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinës.
Portieri Haris Berisha edhe një herë ka dëshmuar klasin e tij dhe është prej me të merituarve për fitoren bindëse, me 8 gola dallim.
Berisha ka pritur 11 gjuajtje nga 16 tentime të rivalit.
Berisha ka treguar se është në formën më të mirë jetësore dhe siç thuhet në zhargoni sportiv, portieri i mirë është sa gjysma e ekipit.
Kështu ishte me Berishën, protagonist i fitores së madhe.
“Sa i përket ndeshjes së kthimit do të mundohem të përmirësohem nga disa gabime në ndeshjen e fundit dhe të arrijmë rezultat më të mirë dhe të bindshëm”, thotë Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Të shtunën në Derby (14.00) Kosova do të përballet me Britaninë e madhe.
Djelmoshat e selektorit Bujar Qerimi synojnë fitore edhe në ndeshjen e kthimit.
“Fitorja është synimi i vetëm pavarësisht diferencës së madhe në Prishtinë dhe të vazhdojmë në fazën finale të kualifikimeve”, ka thënë Berisha.