Hendbollistja e talentuar Arjeta Imeraj synon që të lë gjurmë edhe në kombëtaren e Kosovës U18.
Hendbollistja është anëtare e klubit “Jusuf Gërvalla” nga Deçani dhe e cila punon me elan të shtuar për të treguar veten në radhët e kombëtares.
KHF “Jusuf Gërvalla” ka komplimentuar Arjetën për lojërat që po tregon dhe për ftesën që ka marrë në kombëtare.
“Arjeta Imeraj, lojtarja e shquar e klubit tonë është në mesin e të përzgjedhurave të përfaqësueses së Kosovës për Kampionatin IHF Trophy Intercontinental në kategorinë U18, i cili do të mbahet në
Tashkent të Uzbekistanit prej 28 shkurtit deri më 3 mars. Arjeta dhe vajzat tjera do të luftojnë për biletën drejt Kampionatit Botëror, pas suksesit të treguar në Kampionatin Ballkanik.
Lojtaret e klubit tonë nuk do t’i mungojnë as Kampionatit Mesdhetar i cili mbahet në Podgoricë prej 25 shkurtit deri më 3 mars, ku Learta Gashi do të jetë po ashtu pjesë e përfaqësueses së Kosovës në kategorinë U16.
Rëndësia që kanë këto dy evente për karrierën e hendbollistëve është jashtëzakonisht e madhe andaj ne i përgëzojmë vajzat tona që ja dolën të jenë pjesë e përfaqësueses shtetërore dhe u urojmë shumë suksese!”, shkruan në faqen e KHF “Jusuf Gërvalla”.