Nënkryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Eugen Saraçini ka përshëndetur suksesin e madh të hendbollisteve kosovare në kualifikimet për botërorin në Kinë.
Kombëtarja e Kosovës në hendboll U-18, konkurrenca e vajzave, kanë shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror U-18.
“Edhe një herë historia shkruhet me hendboll. Vashat U18 do të jenë pjesë e Kampionatit Botëror që do të mbahet sivjet në Kinë. Urime, urime vashave fantastike, urime trajnereve Ferati e Basha. Urime Kosovë”, ka shkruar Saraçini në Facebook.
Ndryshe, vashat kosovare u bënë kampione në garën “IHF Trophy Intercontinental” në Tashkent të Uzbekistanit, pasi në finale mposhtën Nigerinë me rezultat 22:16.
Kjo është hera e dytë që një kombëtare e sporteve ekipore siguron pjesëmarrjen në botëror, pas djemve, po ashtu të hendbollit U-21.