Kampioni i Kosovës, Rahoveci, nuk ka vonuar shumë dhe ka emëruar kryetrajnerin e ri për edicionin e ri 2024-2025.
Pas largimit të Verim Zherkës, kampioni zyrtarizon kryetrajnerin e ri.
Është fjala për Goran Andonovski.
“Përgatitjet për sezonin e ri kanë filluar tash e një kohë. Kryesia është konsoliduar dhe ka filluar punën për ta përforcuar klubin me synime të qarta: Fitimi i të gjitha trofeve dhe paraqitja sa më dinjitoze në garat ndërkombëtare.
Rrjedhimisht, kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me trajnerin e njohur maqedonas, Goran Andonovski, i cili do ta udhëheq klubin në sezonin 2024-25.
Andonovski vjen nga Ohri dhe ka revolucionalizuar dhe udhëhequr shumë suksesshëm dy klube, Tikveshin dhe Ohrin. Ai ka karrierë të pasur edhe si hendbollist dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në hendboll. Andonovski është lindur dhe rritur me hendbollin, pasi është sport që e ka përcjellur familjen e tij, brez pas brezi.
Karrierën si lojtar e filloi tek klubi i qytetit, para se të kalojë tek Vardari, ku luajti 8 sezone. Ai ka luajtur edhe për klube tjera si Pelister e klubi i Prespës, para se ta përfundonte karrierën tek klubi i qytetit.
Klubi i Ohrit ri-hapet në vitin 2011, pasi pushoi së ekzistuari një kohë dhe ia beson postin e trajnerit Andonovskit. Ai arrin rezultate historike me klubin dhe e dërgoi në play-off. Ai gjithashtu e udhëhoqi Tikveshin dhe e ktheu në pretendent dhe e dërgoi në playoff, fazë në të cilin klubi ka munguar për më shumë se një dekadë në atë kohë.
Ne besojmë se përvoja e jashtëzakonshme e Andonovskit do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona. Kemi edhe shumë lajme tjera për ju në ditët në vijim”, njofton KH Rahoveci.