Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka folur për përgatitjet e bëra, rëndësinë e organizimit të Evropianit në Kosovë dhe përfitimet e shumta nga kjo ngjarje.
Kampionati Evropian për hendbollistë të grupmoshës U20, prej 13 deri më 21 korrik mbahet në Prishtinë,
“Jemi në prag të fillimit të Kampionatit Evropian U20 për hendbollistë.
Mund të them që ne si Federatë kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të këtij kampionati. Do të jemi nikoqirë të ekipeve kombëtare të 12 shteteve.
Do të jenë mbi 300 përfaqësues, duke përfshirë edhe gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjeve.
Kemi bërë të gjitha përgatitjet, duke filluar nga vendosja, transporti dhe që të gjitha elementet e nevojshme për organizimin e këtij kampionati të jenë në rregull. Dhe çdo gjë të shkoj sipas protokolleve të përcaktuara.
Ne kemi filluar përgatitjet edhe për Evropianin U18 që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Është e rëndësishme që mbi 300 pjesëmarrës janë në Evropianin U20. Edhe në aspektin financiar do të ketë shpenzime që do t’i bëjnë pjesëmarrësit, kështu që benefiti i ekonomisë së qytetit do të jetë i shumëfishtë.
Kjo nënkupton që ne me infrastrukturën ekzistuese duhet të jemi në gjendje ta zhvillojmë atë edhe më shumë, që të jemi të gatshëm të organizojmë edhe Kampionate Evropiane, por edhe Botërore.
Shpresojmë që edhe Kombëtarja jonë U20 të shënojë rezultate të mira”, ka thënë me mburrje Saraçini.