Luigj Quni: Izet Gjinovci ishte zemra e Kombëtares, na motivoi të kalojmë kufijtë

Hendboll

Luigj Quni: Izet Gjinovci ishte zemra e Kombëtares, na motivoi të kalojmë kufijtë

Më: 5 gusht 2024 Në ora: 22:58
Foto gjatë takimit

Të hënën ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.

Gjinovci ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.

I ndjeri Gjinovci ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të hendbollit. Detyrat e tij si sekretar i përgjithshëm i ka kryer me përkushtim e pasion shembullor deri në frymën e fundit.

Hendbollisti Luigj Quni në shenjë përkujtimi dhe mirënjohje për kontributin e tij dhënë për hendbollin ka shkruar një letër.

Më poshtë paraqesim letrën emocionale të hendbollistit të Kombëtares së Kosovës, Luigj Quni, që e shkroi me rastin e vdekjes së simbolit të hendbollit kosovar, Izet Gjinovci:

Me pikëllim të thellë duhet të pajtohemi me humbjen e Izet Gjinovcit, sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, dhe, më e rëndësishmja, një mentori dhe miku të dashur. Largimi i tij nga kjo jetë lë zbrazëti që do të jetë vështirë të plotësohet. Ndonëse jashtë fushës së lojës, ishte zemra e Kombëtares sonë, duke na udhëhequr drejt ndeshjeve historike. Ambicia e tij na ka motivuar gjithnjë që të kalojmë kufijtë tanë.

Shkëlqimi dhe humori i tij na sillnin gëzim të përditshëm. Kur mendoj për Izetin, më kujtohen momentet e shumta kur nuk mund të ndalnim të qeshurat nga tregimet dhe batutat e tij. Por prapa humorit të tij kishte shumë më tepër.

Çdo fjalë e tij kishte kuptim të thellë. Prej gati dhjetë vjetësh jam pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe Izet Gjinovci gjithnjë e ka bërë të qartë se ekipi kombëtar është primar dhe se askush nuk është më i madh se kombëtarja.

Falë angazhimit të tij të pandalshëm ne kemi krijuar një mjedis gjithnjë e më profesional, vit pas viti, duke përmirësuar vazhdimisht strukturën tonë.

Kishim respekt të jashtëzakonshëm për të si person dhe për punën e tij të jashtëzakonshme. I vetmi shpërblim që Izeti kërkonte nga ne ishte të linim shpirtin në fushë dhe të jepnim gjithçka. Këtë ai e bënë çdo ditë.

Për ne lojtarët, ishte si baba i ekipit. Ai na formoi jo vetëm si lojtarë por edhe si individë. Shumë prej nesh iu bashkuan Kombëtares në moshë të re dhe tani jemi sportistë dhe reprezentues me shumë e shumë ndeshje. Izeti na bëri këta që jemi sot.

Puna, zelli dhe ambicia e tij na frymëzon për të dhënë më të mirën çdo ditë. Sot për mua ishte një ditë e trishtuar. Për Kombëtaren tonë po ashtu. Njëjtë për gjithë hendbollin.

Nga thellësia e zemrës sime shpreh ngushëllimet më të thella për të gjithë të dashurit e tij. Faleminderit për gjithçka Izet Gjinovci. Shoku yt, Luigj Quni

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat