Bashkëshortja e Izet Gjinovcit, Valbona emocionon: 20 vjet më parë mora rrugë për në Prishtinë...

Hendboll

Bashkëshortja e Izet Gjinovcit, Valbona emocionon: 20 vjet më parë mora rrugë për në Prishtinë...

Më: 6 gusht 2024 Në ora: 14:25
Izet Gjinovci

Të martën paradite në Sallën e Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës është mbajtur mbledhja komemorative për Izet Gjinovcin.

Gjinovci, që kishte një jetë në hendboll, ndërroi jetë të hënën paradite.

Prej vitit 2002 e deri në frymën e fundit e ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së. I ndjeri Gjinovci ishte për mbi katër dekada në hendboll, ndërsa ka kontribuar në pozita të ndryshme.

Në emër të familjes ka folur bashkëshortja e të ndjerit, Valbona. 

“20 vjet më parë mora rrugë për në Prishtinë. Për 20 vjet më dha dashuri e kujdes.

Por nuk isha dashuria më e madhe e tij. Dashuria më e madhe e tij ishte hendbolli. Ishim si në dy anë të peshores, ndërsa hendbolli fitoi. Ishte aq i fortë sa që nuk mendonte sëmundjen, por vetëm rezultatet e hendbollit”, ka thënë ajo, duke falënderuar Dr. Ilir Kurtishi për kujdesin e madh për plot tri vjet ndaj të ndjerit. Valbona Gjinovci ka falënderuar edhe gjithë bashkëpunëtorët e të ndjerit, duke veçuar Muhamet Arifin, asistentin e tij. 

“Ai ishte si djali i Izetit e tani është si djali im”.

Në fund për personalitetin e Izet Gjinovcit foli edhe miku i tij, Sokol Axhemi.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot nga ora 17:00 në varrezat e fshatit Makërmal, në komunën e Skenderajt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat