Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar shumë lart personalitetin dhe kontributin e të ndjerit Izet Gjinovci.
Gjinovci, që kishte një jetë në hendboll, ndërroi jetë të hënën. Ai ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së nga viti 2002 e deri në frymën e fundit.
Kryeministri Kurti, në telegramin e ngushëllimit për familjen Gjinovci, ka çmuar kontributin e të ndjerit në periudhat e ndryshme.
"Izet Gjinovci ishte personalitet i shquar, punëtor i palodhshëm dhe shembull se si duhet punuar e kontribuar për sportin e Kosovës.
Ai luajti rol të rëndësishëm në pavarësimin e sportit të hendbollit duke punuar në kohët më të vështira dhe të rrezikshme.
Ndërsa puna e tij për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës ishte shumë e vlefshme. Izet Gjinovcin do ta nderojmë gjithmonë e do ta kujtojmë si një punëtor të madh dhe entuziast që tërë jetën ia kushtoi sportit të hendbollit", shkruan në telegramin e kryeministrit Kurti.