Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës: Kundërshtojmë fuqishëm gjuhën fyese dhe denigruese të Përzgjedhësit të Kosovës U18 në hendboll! FHK të distancohet 

Hendboll

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës: Kundërshtojmë fuqishëm gjuhën fyese dhe denigruese të Përzgjedhësit të Kosovës U18 në hendboll! FHK të distancohet 

Nga: K.G. Më: 18 gusht 2024 Në ora: 11:11
Shkrimi i Mitat Feratit

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës i ka reaguar selektorit të kombëtares së Kosovës U18 në hendboll (femrat), Mitat Feratit.

Selektori i kombëtares së Kosovës U18, i ka fyer gazetarët  duke shkruar kësisoj: "Ne ngritëm flamurin edhe në Kinë dhe po fitojmë çdo ditë respekt nga ky popull, kurse disa gazetarë të turpshëm merren me emrin tim dhe provojnë ta njollosin.

Jo, jo! Unë jam unë dhe nuk merrem me  rrugaçëri.

Ju përshëndes nga Kina!

Deri në fitoren e ardhshme”.

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka kërkuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës dhe komuniteti i hendbollit, që të distancohen nga persona të tillë. 

“Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, kundërshton fuqishëm gjuhën fyese dhe denigruese të Përzgjedhësit të Kosovës U18 në hendboll për femra, Mitat Ferati ndaj gazetarëve sportivë në vendin tonë. 

Ky trajner kombëtareje zgjodhi mënyrën për t’i quajtur gazetarët “rrugaqë” në vend se të merret me drejtimin e ekipit.
I gëzohemi çdo suksesi të sportistëve tanë, sidomos tani me pjesëmarrjen e hendbollisteve të reja në Kampionatin Botëror në Kinë.
Gazetarët kanë të drejtë të komentojnë sukseset dhe rezultatet e dobëta, por asesi të ofendohen apo kërcënohen.

Si SHGSK, i bëjmë thirrje Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe komunitetit të hendbollit që të distancohen nga persona të tillë. Në këtë kohë, primare janë të arriturat dhe suksesi i sportit dhe sportistëve tanë, e asesi të ketë ndasi dhe ofendime ndaj gazetarëve”, ka reaguar SHGSK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat