Federata e Hendbollit e Kosovës është shquar edhe një herë me organizim. Kampionati Evropian U18 (B) për hendbollistë, që përfundoi të dielën në Prishtinë, është vlerësuar lart sa i takon organizimit dhe rrjedhës.
Kosova U18 e fitoi këtë ngjarje të rëndësishme, por prezantimi i FHK-së ishte i plotë edhe falë delegatit Fahredin Hashani dhe dyshes së gjyqtarëve, Sherif Xhema e Besfort Jahja.
Hashani, që ka përvojë të gjatë në skenën evropiane, ishte delegat i EHF-së në shumë prej ndeshjeve të Evropianit, duke përfshirë atë për vend të tretë mes Belgjikës dhe Luksemburgut.
Këtë ndeshje e drejtuan Xhema e Jahja, për të cilët Evropiani U18 ishte ngjarja e radhës e rëndësishme. Kjo dyshe ka drejtuar edhe shumë ndeshje të tjera në Evropianin në Prishtinë, duke përfshirë gjysmëfinalen dramatike mes Belgjikës e Gjeorgjisë.
Si Hashani, ashtu edhe çifti Xhema – Jahja janë vlerësuar për punën e kryer me sukses gjatë gjithë ngjarjes së rëndësishme.
Të kujtojmë që Kosova U18 e fitoi këtë Evropian të Divizionit B duke mposhtur në finale Gjeorgjinë me rezultat 30:22.
FHK-ja gjatë kësaj vere ka organizuar dy kampionate të hendbollistëve të rinj, në Divizionin B.