Leonora Rahmani ka nënshkruar me nënkampionen dhe fituesen e Kupës së Azerbajxhanit, Mingachevir HC.
Rahmani është prej hendbollisteve më të mira në Maqedoninë e Veriut, tani do të ketë sprovë të re në hendbollin azerbajxhanas.
Ajo me sukses ka luajtur për klubin shqiptar Çairi dhe pas shumë viteve do të ketë një rrugë të re, një përvojë të re dhe premton se do të jap maksimumin për ekipin e ri.
Hendbollistja është e lumtur që ka arritur marrëveshje me Mingachevir HC dhe zotohet se do të jep më të mirën për të arritur suksese me këtë klub.
“Bota sot”: Tani e tutje do të vazhdoni karrierën në Azerbajxhan, cila është arsyeja që vendose?
Leonora Rahmani: Arsyeja kryesore është të fitoje më shumë eksperiencë ndërkombëtare përgjatë karrierës time si hendbolliste, dhe kushtet e klubit që ishin të favorshme.
“Bota sot”: Cilat janë synimet me klubin e ri?
Leonora Rahmani: Synimet e klubit janë të shpallemi kampion në ligën vendore, ta fitojmë kupën dhe të arrijmë sa më lart në gara ndërkombëtare.
Sezonin e kaluar klubi ishte nënkampion dhe fitues i kupës dhe tani synojmë më lartë.
“Bota sot”: Një kohë të gjatë në radhët e Çairit, a ishte e vështirë që të largohesh pas shumë viteve?
Leonora Rahmani: Gjithsesi se po, ishte klubi me të cilën jam rritur ku dhe ndaj kujtimet me të shumta. Miqësia me stafin dhe me lojtaret normalisht se do të jetë mungesë.
“Bota sot”: Sa keni njohur për hendbollin në Azerbajxhan, a ka dallim me atë të Maqedonisë së Veriut?
Leonora Rahmani: Viteve të fundit shihet një prioritet për zhvillimin e hendbollit, dhe dukshëm janë në përmirësim gradual me afrime të stafit ndërkombëtar me më shumë eksperiencë. Isha në dijeni të këtij klubi si ndër favoritet në këtë vend.
“Bota sot”: Një eksperiencë e re, i frikësoheni sfidës së re?
Leonora Rahmani: Normalisht se çdo sfidë e re ka vështirësitë e veta, por me ndihmën e trajnerit dhe afërsinë e klubit me është lehtësuar.
Përndryshe mezi pres që të fillojmë sa me shpejtë, të jap maksimumin tim duke e treguar sa më mirë lojën time.
“Bota sot”: Një kohë keni luajtur edhe në Kosovë, si e sheh hendbollin në këtë vend, a ka rritje?
Leonora Rahmani: Kosova gjithmonë ka pasur hendboll premtues, dhe po investohet mjaft shumë në këtë sport mirëpo mendoj se ka hapësirë për përmirësime dhe të punohet ose të jepet fokus më shumë tek moshat e reja që të rrisin kualitetin vendor.
“Bota sot”: Çfarë premton Leonora në edicionin e ri për tifozët e skuadrës së re?
Leonora Rahmani: Kudo që jam, unë gjithmonë jap maksimumin tim si në stërvitje dhe në ndeshje, dhe nuk do të ndalem derisa t’i arrijmë synimet që kemi.