Letra e EHF-së: Keni tejkaluar pritjet tona, presim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me FHK-në

Hendboll

Letra e EHF-së: Keni tejkaluar pritjet tona, presim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me FHK-në

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 20:28
Eugen Saraçini

Përmes një letre të presidentit të Federatës Evropiane të Hendbollit, Michael Wiederer për presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës,

Eugen Saraçini, EHF-ja ka vlerësuar shumë lart organizimin e Kampionatit Evropian U18 në Prishtinë.

Përmes letrës, EHF-ja ka “shprehur mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin e sinqertë për FHK-në, për organizimin e jashtëzakonshëm të Evropianit”.

Kjo ishte ngjarja e tretë rresht e organizuar nga FHK-ja, pas një Evropiani për hendbolliste të reja dhe një Evropiani për të rinj (U20).

Presidenti Wiederer  ka shkruar se ngjarja e këtij muaji konfirmon progresin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Kosovës për zhvillimin e hendbollit. 

“Vendimi për të organizuar Evropianin ishte hap ambicioz përpara, por hap që jo vetëm ka përmbushur pritjet tona, por edhe i ka tejkaluar ato. Jemi veçanërisht mirënjohës për përkushtimin e palëkundur të FHK-së dhe vëmendjen maksimale ndaj detajeve. Profesionalizmi i treguar në përgatitjen dhe realizimin e ngjarjes, si dhe cilësia e lartë e infrastrukturës dhe aranzhimeve logjistike ishin shembullore”, shkruan tutje në letrën e EHF-së, ku vlerësohet edhe pritja e ngrohtë për të gjithë pjesëmarrësit.

Presidenti Wiederer ka shkruar se të gjithë pjesëmarrësit u ndien si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë. EHF-ja ka falënderuar të gjithë vullnetarët dhe anëtarët e stafit.

“Ne presim që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me FHK-në edhe në vitet në vijim”, shkruan ndër të tjera në letrën e gjatë falënderuese të EHF-së për federatën tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat