Muhamet Arifi emërohet ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të FHK-së 

Hendboll

Muhamet Arifi emërohet ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të FHK-së 

Më: 28 gusht 2024 Në ora: 22:25
Muhamet Arifi

Nën udhëheqjen e presidentit Eugen Saraçini, të mërkurën pasdite është mbajtur mbledhja e 19-të e Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Mbledhja nisi me një minutë heshtje në nderim të personalitetit të Izet Gjinovcit që ndërroi jetë më 5 gusht.

Në këtë mbledhje u morën vendime të rëndësishme. Ndër të tjera, janë shqyrtuar dhe aprovuar Propozicionet e Garave për edicionin garues 2024/2025.

Bordi ka vendosur të vazhdojë mandatin e komesarit Isak Osmani edhe për edicionin e ardhshëm, duke vlerësuar punën e tij gjatë kampionatit të kaluar.

Fahredin Hashani do të jetë edhe në edicionin e ardhshëm përgjegjës për analizim të referimit përmes videoxhirimeve.

Bordi ka vendosur që më 14 shtator të fillojë edicioni i ri në Superligë. Ndërkohë për fundjavën e 7/8 shtatorit është vendosur të zhvillohet gara për Superkupë. Interesim për ta organizuar Superkupën ka shfaqur Rahoveci.

Bordi ka emëruar Muhamet Arifin ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Pozita e sekretarit të përgjithshëm ka mbetur vakant që kur ndërroi jetë Izet Gjinovci.

Muhamet Arifi ka mbi një dekadë që punon në FHK dhe është shquar vazhdimisht për përkushtimin dhe seriozitetin. Rrjedhimisht Bordi ka vendosur t’ia besojë pozitën me përgjegjësi të ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm.

Në mbledhje është diskutuar edhe për dy Kampionatet Evropiane të grupmoshave të reja që u organizuan në Prishtinë dhe për Kampionatin Botëror U18 të hendbollisteve në Chuzhou të Kinës, ku mori pjesë edhe Kombëtarja jonë.

Organizimi i dy Evropianëve është vlerësuar shumë lart dhe këtë e konfirmojnë edhe letrat e ardhura nga EHF-ja.

Ndërkohë rezultatet e vajzave tona në Botëror janë vlerësuar të mira, duke marrë për bazë shënimin e tri fitoreve në ngjarjen globale të hendbollit.
Bordi ka vendosur po ashtu të mbështesë financiarisht skuadrat që do të garojnë në kupat evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat