Verim Zherka kërkon ndihmën e tifozëve ndaj Sllobodës: Qëllimi ynë është fitorja

Hendboll

Verim Zherka kërkon ndihmën e tifozëve ndaj Sllobodës: Qëllimi ynë është fitorja

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 13 shtator 2024 Në ora: 14:40
Verim Zherka

Kastrioti i Ferizajt është gati për përballjen e parë të Kupës Evropiane në hendboll (meshkujt). 

Ferizajasit pretendojnë fitore në duel me Sllobodën e Tuzllës nga Bosnja dhe Hercegovina.

Pritet atmosferë e bukur në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Përballja do të luhet nesër në orët e mbrëmjes, 19.00.

Është ndeshja e parë e rrethit të parë. 

Kryetrajneri i Kastriotit, Verim Zherka, thotë se ka njohuri për Sllobodën, duke e vlerësuar si ekip që ka lojën e shpejtë.

“E përcjella turneun e Duboit që e patën para dhjetë ditëve, Slloboda ka ekipin e ri, me kualitet edhe kanë një hendboll të shpejt, në aspektin teknikë shumë të mirë.

Ka me qenë lojë e vështirë.

Përparësitë? Mendoj se aty jemi njëjtë me cilësi.

Eksperienca është në anën tonë, kështu që pres një angazhim maksimal, duke i ditur se kemi vetëm një ndeshje, pra të Superkupës dhe nuk kemi asnjë ndeshje kontrolluese, këtu e kam frikën që mos po ndikon”, thotë Zherka për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Zherka kërkon lojë të shpejt e mbrojtje të fortë nga djelmoshat e tij

“Normal që me një lojë të shpejt, me një mbrojtje të mirë dhe me kundërsulme, kemi me tentuar mi shpartalluar ata”, ka nënvizuar Zherka.

Kryetrajneri i ekipit me renome kërkon ndihmën e tifozëve që do të jetë edhe një forcë shtesë për ekipin. 

“Pres një publik në numër sa më të madh, përkrahje dhe besoj që edhe ata do të jenë lojtari ynë i shtatë. 

Kjo ndeshje luhet jo 60 minuta por 120 minuta, pasi që e kemi edhe lojën e dytë pas një jave.

Qëllimi ynë është që të kemi avantazh deri në 4-5 gola për lojën kthyese.

Qëllimi ynë është fitorja pas një kohe pjesëmarrje në garat evropian”, shpreh optimizmin kryetrajneri.

Fituesi i Kupës së Kosovës nuk mund të llogarisë në hendbollistin me përvojë Yassine Henahem.

“Jemi komplet. Fatkeqësisht dy djem mungojnë, Yassine Henahem dhe një portier, për shkak të vizave.

Për momentin e morëm Kuletën e Prishtinës dhe portierin Dugolli të Vjosës. Atmosfera është e mirë. Fatmirësisht nuk kemi lëndime.

Mangësia e vetme është mungesa e ndeshjeve kontrolluese”, ka përfunduar Zherka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat