“Hendbolli na bashkon”, projekti i jashtëzakonshëm për shqiptarët në Zvicër

Hendboll

“Hendbolli na bashkon”, projekti i jashtëzakonshëm për shqiptarët në Zvicër

Më: 14 shtator 2024 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Për shumë vjet, Pashke Marku ishte lojtare e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës në hendboll. Ajo ka bërë emër edhe në Superligën e Zvicrës, ku vazhdon të luaj ende. Ka shkruar histori te skuadra Kreuzlingen.

Por Pashke Marku është e përkushtuar që entuziazmin e saj për hendbollin ta përcjellë te fëmijët shqiptarë në Zvicër. Komuniteti shqiptar në Zvicër është shumë i madh, ndërsa shumica e familjeve shqiptare dërgojnë fëmijët edhe në sport. Në hendboll është një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, por Pashkja synon që ky numër të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme.

Për këtë ajo ka inicuar programin “Handball verbindet uns – Hendbolli na bashkon”.

Ky program fillon në muajin nëntor dhe ka për synim përfshirjen në hendboll të fëmijëve shqiptarë dhe familjet e tyre. Programi orfron seanca stërvitore dhe turne hendbolli në katër ngjarje të ndryshme. Synimi është i qartë – rritja e interesimit për hendbollin në komunitetin e madh shqiptar në Zvicër.

Programi udhëhiqet nga lojtarë dhe trajnerë me rrënjë shqiptare, ndërsa Federata zvicerane e hendbollit është përgjegjëse për koordinimin e përgjithshëm.

“Qëllimi është që të nxiten fëmijët për hendbollin dhe t’u tregohen atyre rrugë për të filluar. Në shtigje më të gjata, federata dëshiron të përfshijë grupet tjera të popullatës në komunitetin e saj dhe të promovojë bashkimin”, shkruan në njoftimin e federatës zvicerane.

Aktivitetet e para në kuadër të këtij programi janë më 2 nëntor nga ora 9 deri në 11.30 në Basel dhe St. Gallen.

Më 9 nëntor aktivitetet mbahen në Lucern e Aarau. Të ftuar janë familjet e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e stërvitjeve.

Pashke Marku është kryetrajnere në St. Gallen. Në Aarau është trajnere Rina Slishani. Fidan Korqaj do të jetë trajner në Lucern dhe Sara Gjergjaj e Premtim Zeqaj në Basel.

Luigj Quni e Martina Bibaj janë ambasadorë të programit.

Ky program zhvillohet në koordinim të plotë me Federatën e Hendbollit të Kosovës. FHK-ja ka një bazë shumë të rëndësishme lojtarësh në Zvicër. Po ashtu inkurajon gjithë familjet shqiptare që të jenë pjesë e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat