Fituesi i Kupës së Kosovës, Kastrioti i Ferizajt (meshkujt), synon kualifikimin në rrethin e dytë të Kupës Evropiane në hendboll.
Ferizajasit janë të përgatitur maksimalisht dhe besojnë e shpresojnë në mrekulli në Tuzëll të Bosnjës dhe Hercegovinës, ku ndeshen me Sllobodën në kuadër të ndeshjes së kthimit.
Djelmoshat e kryetrajnerit Verim Zherka e fituan takimin e parë me rezultat 30:29 ndaj Sllobodës, që u luajt të shtunën e kaluar në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.
“Të dielën, në ora 18:00, ekipi ynë do të zbresë në fushën e miqve tanë RK Sloboda për ndeshjen e kthimit në Tuzëll, Bosnje, në kuadër të EHF European Cup.
Pas një fitoreje të jashtëzakonshme në ndeshjen e parë, atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe mobilizimi është maksimal.
Lojtarët tanë janë të përkushtuar të japin gjithçka nga vetja për të siguruar një tjetër rezultat pozitiv dhe për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt sukseseve ndërkombëtare!
Na mbështetni me zemër dhe shpirt në këtë sfidë të madhe!”, - njofton KH Kastrioti.