Të dielën nga ora 18:00 Kastrioti i Ferizajt e luan ndeshjen e kthimit në raundin e parë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) për hendbollistë.
Në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës, skuadra ferizajase takohet me skuadrën e suksesshme boshnjake, Slloboda.
Ferizajasit kanë udhëtuar me optimizëm për në Tuzëll, me synim për të dhënë më të mirën për ta mbrojtur epërsinë nga ndeshja e parë.
Të shtunën e kaluar në palestrën “Bill Clinton”, në atmosferë shumë të mirë sportive, Kastrioti fitoi me rezultat 30:29.
Ndeshja e së dielës do të jetë sfiduese, por fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës e kërkon kualifikimin në raundin e dytë, ku paraqiten edhe Rahoveci e Besa Famgas. Ferizajasit kanë premtuar angazhim maksimal për prezantim sa më të mirë para tifozëve boshnjakë.