Ashtu si pritej, ndeshja mes Istogut dhe Samadrexhës ishte shumë interesante dhe plotësisht e barabartë. Në fund festuan istogaset që fituan me një gol dallim.
Ndeshja e xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në hendboll u zhvillua të dielën në Banjë. Istogu fitoi me rezultatin 40:39.
28 sekonda para fundit, Fetane Uzunlar e Samadrexhës e barazoi rezultatin në 39:39.
Kështu Istogu e kishte aksionin e fundit.
Pak sekonda para fundit u shkaktua penallti për Istogun, për ndërhyrje të palejuar ndaj Myloslava Borodait. Penalltinë në gol e shndërroi Maira Vitoria Vincentini.
Dhe fitorja me rezultat 40:39 i takoi kampionit në fuqi.
Lana Paviçeviq i shënoi 9 gola për Istogun. Tetë i kishte Astou Ndiaye e shtatë Vincentini.
Te Samadrexha u dallua Fetane Uzunlar me 11 gola. Tetë i shënoi Nikelina Franca, ndërsa nga gjashtë i kishin Aulona Maloku e Sevdanur Ozkan.
Për Samadrexhën ishte ndeshja e parë e edicionit. Istogu në xhiron e parë humbi nga Ferizaj.
Të dielën u zhvillua edhe një ndeshje tjetër e xhiros së dytë. Besa e mposhti Prishtinën në kryeqytet me rezultat 33:27.
Te hendbollistët, Vjosa e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat 43:29. Vjosa e luajti ndeshjen e parë, kurse Trepça e pësoi humbjen e dytë rresht.