Besa Famgas nisi ndeshjen me seri 4:0 dhe më pas e fitoi bindshëm derbin ndaj Kastriotit.
Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa fitoi ndaj skuadrës ferizajase me rezultat 38:26. Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Për Besën është fitorja e dytë rresht. Kastrioti e luajti ndeshjen e parë këtë kampionat. Dy ndeshjet e para nuk i ka zhvilluar ende për shkak të angazhimeve në gara evropiane.
Ekipi pejan herët krijoi epërsi 9:3 e 10:4. Ferizajasit u afruan deri në katër gola, por jo më shumë.
Olsi Mulaj ishte më efikasi te Besa Famgas me 11 gola. Nga gjashtë i kishin Vladimir Stankoviq e Jakub Cwieka. U dallua sidomos portieri Mursel Mehmeti me pritje të shumta.
Deniz Terziqi i shënoi 10 gola për Kastriotin. Pesë i kishte Lulzim Shabani.
Po të dielën, Llapi fitoi 41:28 ndaj Trepçës. Ardi Halili i shënoi 12 gola për Llapin, kurse nga gjashtë i kishin Blerton Hasani e Arbër Neziri. Amar Mujka i shënoi 12 gola për Trepçën.