Dy pikë të mëdha për Prishtinën

Hendboll

Dy pikë të mëdha për Prishtinën

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 11:14
Pamje nga një ndeshje

Prishtina e ka fituar ndeshjen e fundit të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Në palestrën “Jeton Tërstena – Tota”, Prishtina mposhti Vushtrrinë me rezultatin e ngushtë, 35:34.
Ndeshja ishte shumë interesante, e fundi dramatik.

Prishtina nisi më mirë ndeshjen, kurse pas minutës së 13-të skuadra vendase kaloi në epërsi.

Epërsia e Vushtrrisë në pjesën e parë shkoi deri në katër gola, 16:12. Prishtinasit megjithatë nuk u dorëzuan.

Në minutën e 37-të rezultati u barazua në 22:22. Më pas u luajt ndeshje e fortë dhe e barabartë. Në epërsi ishin herë njëra e herë skuadra tjetër. Në minutën e 51-të, Prishtina krijoi epërsi 30:28. Vendasit u përgjigjën dhe dolën para, 31:30. U luajt për secilin gol deri në fund.

Albi Gjuka shënioi për 33:32 në të mirë të Prishtinës në minutën e 57-të. Arjanit Hyseni barazoi në 33:33 në minutën e 58-të. Oltion Beshiri shënoi për 34:33 në të mirë të Prishtinës në minutën e 59-të. Në minutën e fundit fillimisht Egzon Ademi barazoi në 34:34 e më pas Beshiri shënoi golin e fitores për Prishtinën, 35:34. Vushtrria më nuk mundi të barazojë.

Gjuka udhëhoqi Prishtinën me plot 13 gola. Tetë i kishte Enis Kuleta e shtatë Oltion Beshiri.

Shtatë gola për Vushtrrinë i shënoi Egzon Ademi. Nga gjashtë i shënuan Erkan Abazxhiku e Amir Fazliu.

Prishtina është e pesta me katër pikë. Vushtrria është e gjashta me dy pikë.

Të martën prej orës 20:00 është ndeshja e xhiros së katërt të Superligës së hendbollisteve mes Vushtrrisë e Shqiponjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat