Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka shpallur të martën listën e lojtareve në të cilat llogarit për ndeshjet me Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Kombëtarja e Kosovës është në grupin e dytë të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2025. Ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në Hasselt të Belgjikës. Më 25 tetor është ndeshja Belgjikë – Kosovë, ndërsa më 26 tetor është takimi Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë. Më 27 tetor takohen Bosnjë-Hercegovina e Belgjika.
Fituesi i grupit avancon në fazën e dytë kualifikuese.
Synimi i Kosovës është vendi i parë në grup.
Selektori Shabani ka ftuar 16 lojtare. Emër i ri është Sara Gjergjaj, që gradohet nga Kombëtarja U18.
Ndërkohë në Kombëtare kthehet lojtarja e rëndësishme, Mirjeta Bytyqi, që do të luajë ndeshjet e para zyrtare me Kosovën.
Grumbullimi i Kombëtares bëhet të dielën, më 20 tetor, në Luksemburg. Në Luksemburg, Kombëtarja do të përgatitet deri më 24 tetor, kur është udhëtimi për në Belgjikë.
Lojtaret tona janë duke kaluar formë të mirë dhe kjo jep shpresë për kualifikime të suksesshme.