Samadrexha e ka fituar ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë të Superligës së hendbollisteve.
Të enjten në palestrën “Afrim Bunjaku”, Samadrexha mposhti skuadrën nga Obiliqi, Tereza, me rezultat 34:31.
Në pjesën e parë në epërsi kryesisht ishin mysafiret. Në pjesën e dytë epërsia ishte te vendaset, por për pak gola.
Në minutën e 52-të, Tereza u afrua në një gol, 29:28, e më pas edhe në 30:29. Por Samadrexha shënoi dy gola rresht dhe më pas mbajti epërsinë deri në fund.
Sevdanur Ozkan i shënoi 10 gola për Samadrexhën, kurse 9 i kishte Nikelina Franca.
Te Tereza, 7 gola i kishte Arjeta Imeraj e nga 6 i shënuan Kaltrina Paci, Bleona Hashani e Melike Ipçi.
Samadrexha tani i ka dy fitore e dy humbje. Tereza mbetet pa pikë.