Të hënën grumbullohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Grumbullimi do të bëhet në Luksemburg, ku hendbollistet do të qëndrojnë deri të enjten.
Në fakt disa prej hendbollisteve kanë udhëtuar që të dielën drejt Luksemburgut. Për shkak të afërsisë me vendet ku luajnë lojtaret si dhe me vendin ku zhvillohen ndeshjet, është vendosur që ky grumbullim të jetë në Luksemburg.
Të enjten Kombëtarja udhëton për në Hasselt të Belgjikës, ku zhvillohet turneu i Grupit 2 të fazës së parë kualifikues për Kupën e Botës 2025.
Të premten prej orës 20:00 vajzat tona përballen me Belgjikën. Të shtunën prej orës 18:00 është takimi Kosova – Bosnjë-Hercegovina, ndërsa të dielën prej orës 16:00 takohen Bosnjë-Hercegovina e Belgjika.
Synimi i Kombëtares sonë është i qartë – fitorja në të dy ndeshjet dhe kualifikimi tutje. Forma e lojtareve tona në klubet e tyre jep shpresë të madhe për sukses në këtë cikël kualifikues.