Kampioni i Kosovës, Rahoveci, është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë të Kupës Evropiane në hendboll.
Djelmoshat e Rahovecit janë para një sprove të madhe, të jesh apo të mos jesh në përballjen me ekipin nga Belgjika, Sezoens Achilles Bocholt.
Ballafaqimi i parë u fituar nga belgët me rezultat 30:27.
Ndeshja luhet të shtunën (19.00) e fundjavës në Rahovec.
“Klubi i hendbollit Rahoveci zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit.
Pas konsolidimit dhe shpalljes kampion i Kosovës, tashmë marrim pjesë në garat europiane, ku shorti na vuri para kampionit të shumëfishtë të Belgjikës dhe ligës së përbashkët të Beneluksit, Sezoens Achilles Bocholt.
Ndeshjen e parë në Belgjikë e humbëm me 3 gola disavantazh.
I kishim momentet tona dhe shumë lehtë kemi mundur të kthehemi me rezultat pozitiv në Kosovë.
Ky fakt, bashkë me përkrahjen e madhe që po marrim nga e gjithë Kosova, na bën të besojmë në përmbysje dhe kalim në raundin tjetër.
Andaj, të shtunën, bashkë në tempullin ‘Mizahir Isma{, për spektakël hendbollistik e kualifikim historik në raundin tjetër. Le ta mbushim palestrën, si asnjëherë më parë!”, ka njoftuar KH Rahoveci.