Egzon Gjuka për suksesin e Rahovecit në Kupën Evropiane: Është historike, mund të bëjmë hapa edhe më të medhenj

Hendboll

Egzon Gjuka për suksesin e Rahovecit në Kupën Evropiane: Është historike, mund të bëjmë hapa edhe më të medhenj

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 tetor 2024 Në ora: 17:35
Egzon Gjuka

Rahoveci futet në historinë e hendbollit të Kosovës, duke shënuar sukses të madh në garat evropiane. 

Kampioni i Kosovës, Rahoveci, tregoi “muskujt” karshi ekipit nga Belgjika, Bocholt, duke e deklasuar me rezultat 37:25 kësisoj përmbysin humbjen e sfidës së parë me 32:29.

Atmosfera e bukur në palestrën e sportit “Mizahir Isma” në Rahovec, ishte edhe prej forcave kryesore të këtij ngadhënjimi me 12 gola dallim. 

Image

Rahoveci

Kur është në formë hendbollisti më i mirë në Kosovë, si Egzon  Gjuka, fitorja nuk diskutohet.

Hendbollisti Gjuka dha atomin e fundit duke realizuar 10 gola e kontribuar me bashkëlojtarë në këtë fitore që e gëzoi pamasë dashamirët e Rahovecit dhe në tërë shtetin e Kosovës.  

Z. Gjuka, Rahoveci kaloi në rrethin e tretë të Kupës Evropiane, ku ishte arma e fortë e këtij suksesit dhe çka e veçojë ndaj rivalit?

“Fokusi i jonë i vetëm gjatë muajit tetor ka qenë kjo ndeshje europiane, kemi analizuar mjaft mirë ekipin kundështarë dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje.

Ndeshja në Belgjikë edhe pse morëm rezultat të favorshëm ishte një ndër ndeshjet tona më të dobëta të zhvilluara por edhe pas kësaj ne kishim besim që do e rikthejmë rezultatin në shtëpinë tonë”, thotë Gjuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Rahoveci ka treguar mbrëmë lojë e efikasitet në përballje me belgët, duke iu hakmarrë me kamatë për humbjen në takimin e parë.

“Ndeshjen e mbrëmshme e treguam fytyrën e vërtet të kësaj skuadre duke arritur rezultat fantastik dhe kalimin tutje në raundin tjetër që është historike për vetë klubin e Rahovecit dhe qytetin por është një gjë e mirë edhe për hendbollin kosovar”, ka nënvizuar ai.

Rahoveci është klubi më i organizuar në vendin tonë, si dëshmi e gjithë kësaj janë edhe rezultatet fantastike. 

“Organizim i mirë i brendshëm në skuadër, komponimi dhe harmonia e shkëlqyer mes lojtarëve dhe stafit besoj që është një ndër çelesat e suksesit të skuadrës.

Tani presim shortin për të mësuar kundërshtarin e radhës dhe duke i ditur cilësitë që kemi si skuadër me pak fat në short, shpresoj dhe besoj që mund të bëjmë hapa edhe më të medhenj në garat europiane”, shpreh optimizmin hendbollisti më i mirë në vendin tonë. 

Gjuka ka falënderuar nga zemra tifozët e mrekullueshëm të Rahovecit dhe nga gjithë Kosova, të cilët ishin lojtari i tetë në fitoren bindëse ndaj ekipit nga Belgjika. 

“Një falënderim për të gjithë tifozët nga qyteti i Rahovecit dhe nga e gjithë Kosova që ishin prezent në palestër dhe ishin në perkrahje tonë gjatë gjithë ndeshjes”, ka përfunduar Gjuka.

Të hënën është shorti për raundin e tretë të EHF European Cup. Kanë mbetur edhe 32 ekipe në garë.

Me kundërshtarin potencial do të takohen më 23/24 nëntor dhe ndeshja kthyese luhet më 30 nëntor / 1 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat