Afrim Deliu ballëlart me Rahovecin: Për një paraqitje sa më dinjitoze në rundin e tretë të Kupës Evropiane

Hendboll

Afrim Deliu ballëlart me Rahovecin: Për një paraqitje sa më dinjitoze në rundin e tretë të Kupës Evropiane

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 tetor 2024 Në ora: 17:49
Afrim Deliu

Kampioni i Kosovës, Rahoveci, është shembulli më i mirë se si janë të organizuar, si punojnë e luftojnë për rezultate të lakmueshme në Kupat Evropiane në hendboll (meshkujt).

Suksesi i fundit është fryt i punës të të gjithëve në klub, nga presidenti, drejtori sportiv, kryesia, trajnerët, hendbollistët e deri tek i fundit në këtë kolektiv, që është shndërruar në një model të punës dhe suksesit në vendin tonë.

Afrim Deliu, drejtor sportiv i KH Rahovecit, është i lumtur që e mposhtën me rezultat 37:25 ekipin belg Bocholt, duke e përmbysur humbjen e sfidës së parë me 32:29.  

Deliu tha se ndeshja e parë në Belgjikë ishte me plot emocione.

“Ndeshja e parë ishte plot emocione për ekipin, nuk kishim shumë informata per kundërshtarin dhe nuk dinim se çfarë të prisnim.

Të ju them të drejtën, kemi mundur që të kthehemi me 4-5 gola epërsi, nëse do e menaxhonim lojën më mirë atje.

Gjithsesi mënjëherë pas perfundimit të lojes kemi filluar të mendojme për lojën e kthimit, kemi analizuar gabimet tona dhe kundërshtarin dhe jemi përgatitur maksimalisht.

Nuk duhet harruar perkrahja masive e publikut, pa të cilën do të ishte e pamundur fitorja.

Tani presim shortin që të shohim mundësitë që të kalojmë edhe më tutje.

Një është e sigurt se do të japim maksimumin për një paraqitje sa më dinjitoze në rundin e tretë”, thotë Deliu për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Të hënën është shorti për raundin e tretë të EHF European Cup. 

Me kundërshtarin potencial do të takohen më 23/24 nëntor dhe ndeshja kthyese luhet më 30 nëntor / 1 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat